Fotoja e Veselit alarmon mediet serbe: Trump, shuplakë Serbisë

23/02/2017 00:00

Nuk ka dhënë shumë detaje mbi kohën dhe përmbajtjen e takimit, por fotoja që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka postuar në “Facebook” e ku shfaqet në krah të presidentit amerikan Donald Trump, ka mjaftuar për të alarmuar mediet serbe.

Për to, imazhi është një tjetër konfirmim i mbështetjes së administratës së re amerikane ndaj Kosovës, pas deklaratave të disa pjesëtarëve të kabinetit Trump.

“Trumpi, shuplakë Serbisë”, është titulli kryesor i gazetës “Blic”, e cila përmend të gjitha deklaratat e udhëheqësit amerikan në mbështetje të Republikës së Kosovës, si për anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por edhe për krijimin e ushtrisë.

“Blic” citon Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, i cili ka thënë se Kosova e meriton ushtrinë, e gjithashtu komentin e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikky Hailey, se Kosova e ka vendin në OKB.

“Trumpi shqiptar?”, është titulli i gazetës “Informer” që po ashtu rendit historikun e mbështetjes amerikane për Prishtinën. Edhe gazeta “Kurir” i kushton faqen e parë fotos së Veselit me presidentin Trump, nën titullin “Ofensiva e Kosovës në Amerikë”.

Ditë më parë, kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç paralajmëroi qytetarët serbë se, udhëheqësi i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherazi kryetar i Kuvendit, po i forcon pozitat e tij, e kjo sipas tij është diçka e keqe për Serbinë.

Kadri Veseli është udhëheqësi i parë shqiptar që e takon presidentin Donald Trump. Ai nuk dha shumë shpjegime lidhur me foton e postuar në rrjetin social “Facebook”, përveçse që ishte realizuar gjatë një takimi disa ditë më parë.

Top Channel