Top Story, protesta e opozitës dhe reforma në drejtësi

23/02/2017 00:00

Pas thuajse një jave proteste para godinës së Kryeministrisë dhe nën zyrën e kryetarit të Kuvendit, shoqëruar me bojkotin e Parlamentit, Vettingu u bë pjesë e protestës së Partisë Demokratike, kur Lulzim Basha deklaroi se pas paktit për një qeveri teknike dhe korrigjimit të shtatë ligjeve të miratuara pa opozitën, atëherë të bëhet Vettingu.

Por si do të vijojë fati i reformës në drejtësi? A do të ngrihen komisionet e Vettingut javën që vjen?

Për këto dhe të tjera pyetje në Top Story këtë të enjte ishin analistët Arjan Vasjari, Fahri Balliu, Alfred Lela, Agron Gjekmarkaj, Skënder Minxhozi dhe Mustafa Nano.

Arjan Vasjari tha se deklarata e Bashës dëmtoi protestën.

“Unë shoh një lidhje mes protestës dhe reformës në drejtësi. Zoti Basha me këtë deklaratë e ka dëmtuar protestën sepse ka nxjerrë si çështje të parë jo zgjedhjet. Opozita nuk ka vërejtje vetëm për Vettingun, ka edhe për shtatë ligjet. Nga shtatë ligje, opozita ka votuar vetëm Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Vettingun e çoi në Kushtetuese dhe sulmoi KLGJ dhe KLP-në”, tha ai.

Agron Gjekmarkaj thotë se Basha sfidoi Ramën me deklaratën e sotme.

“Unë mendoj se Basha i ka hedhur dorashkën Kryeministrit Rama që vettingun dhe reformën në drejtësi, votohet nëse është i gatshëm për të dhënë qeverinë teknike dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Protesta ndërgjegjësoi njerëzit dhe rrëzoi gati një mit, që lideri i opozitës nuk frymëzon. Mendoj që populli iu përgjigj thirrjes së Lulzim Bashës”, tha ai.

Alfred Lela e shikon normale deklaratën e Bashës përsa kohë opozita është në protestë për një kërkesë më madhore, siç thotë ai.

“Nuk shoh asnjë problem që përfshin vettingun opozita në protestën e saj, përsa kohë e bën një kërkesë më të madhe, siç është ajo e largimit të qeverisë dhe organizimin e zgjedhjeve nga një qeveri teknike”, deklaroi Lela.
 
Skënder Minxhozi thotë se Vettingu i kaloi të gjitha filtrat.

“U ankimua në Kushtetuese, u shqyrtua nga Venecia dhe kaloi. Tani një forcë politike thotë, në rregull kaloi Vettingu, po ne duam qeveri teknike, të vijmë në pushtet dhe do të shohim edhe njëherë”, tha ai.

Mustafa Nano tha se protesta nuk ka kauzë. Ai e quajti hipokrizi kërkesën e Partisë Demokratike për zgjedhjet.

Top Channel