“Fendi” u ofroi spektatorëve një tur në rrugët elegante të Romës, pikërisht atje ku është themeluar shtëpia e modës, me krijime klasike që evokuan skena të filmave të vjetër.

Në ditën e dytë të javës së modës në Milano, modelet e “Fendi”-t, ndër të cilat edhe Kendall Jenner e Gigi Hadid, parakaluan në një pasarelë prej druri nën ritmin e muzikës së Ennio Moricones.

Elementët që dekoronin pasarelën mund të gjendeshin edhe te veshjet, në shumicën e të cilave dalloheshin punimet e famshme të dorës, me përdorimin e pellusheve dhe lëkurës. Veshjet ishin krijuar me mozaikë, zbukurime dhe materiale të ndryshme, të tilla si leshi, mëndafshi, lëkuara dhe organza.

Koleksioni “Vjeshtë-Dimër 2017-2018”, i realizuar nga Karl Lagerfeld dhe Silvia Venturini, dominohej kryesisht nga ngjyrat e vjeshtës, të tilla si e kuqja e errët, e kafta dhe karameli. Dukej sikur modelet kishin dalë nga një pjesë filmi, shumica e të cilave me çizme të larta ngjyrë të kuqe, me çanta të kadifenjta ose me lëkure pitoni.

Java e modës në Milano vazhdon deri më 27 shkurt.

Top Channel