Europa League, mësohen emrat e 6 të kualifikuarave të tjera

23/02/2017 00:00

Pas Manchester United, Schalke 04 dhe Krasnodarit të Rusisë, që luajtën ditën e mërkurë, janë mësuar edhe emrat e disa ekipeve të tjera të kualifikuara për në fazën e ardhshme të 1/8-ave të Europa League, kompeticionit të dytë për nga rëndësia në Europë.

Bien në sy Olimpiakosi i Pireut dhe Ajaksi, skuadra që kishin barazuar pa gola në ndeshjet e para ndaj Osmanlisporit dhe Legias së Varshavës respektivisht, ndërsa ndeshjet e kthimit i kanë fituar që të dyja, me grekët 3-0 në transfertë dhe holandezët 1-0 në shtëpinë e tyre.

Ndërkohë, APOEL-i i Nikosisë ka arritur të përmbysë rezultatin e takimit të parë ndaj Athletic Bilbaos, duke siguruar biletën për më tej, pasi fitoi në Qipro 2-0 ndërsa në Spanjë ishte mposhtur 3-2. Të njëjtën gjë është përpjekur të bëjë edhe Zeniti ndaj Anderlechtit në Rusi, por pavarësisht fitores 3-1, janë belgët ata që shkojnë më tej falë avantazhit të golit në fushë kundërshtare. Në Belgjikë, ndeshja e parë kishte përfunduar 2-0.

Roma duket se ka toleruar disi ndaj Villarrealit, duke u mposhtur në Itali 1-0, megjithatë verdhekuqtë nuk rrezikuan aspak pasi kishin fituar në Spanjë 4-0. Ndërkohë, turqit e Beshiktashit fitojnë edhe përballjen e dytë me izraelitët e Hapoel Beer Shevas.

Top Channel