Brezat ’96-’99, ja më të mirët e futbollit

23/02/2017 00:00

Observatori ndërkombëtar i futbollit, me seli në Zvicër, provon që prej vitit 2005 të analizojë lojën më të bukur të planetit përmes metodave shkencore dhe statistikave.

Numrat janë një pjesë domethënëse, e për këtë “CIES” vendosi në radhë 20 të rinjtë më premtues të futbollit, duke llogaritur lojtarët e lindur në vitet 1996, 1997, 1998 dhe 1999.

Metoda e diskutueshme parashikon analizën e 31 kampionateve futbollistike të Europës, peshën përmes pranisë në varësi të koefiçentit të kampionatit, renditjen e ekipit dhe turnetë kontinentalë. Ajo çfarë del në dritë është një fotografi e më të mirëve në 4 vite.

Në majën e lojtarëve më premtues të lindur në vitin 1996 gjejmë talentin shpërthyes të Tottenhamit, Delle Ali. Objektivi i Realit dhe Barçës po lë mbresa me Spursat dhe kombëtaren angleze, e për të janë gati sakrificat ekonomike.

Ndër lojtarët më të mirë të vitit 1997, më i kuotuari është Renato Sanchez, finalist në “Europa League”, kampion Europe me Portugalinë dhe superblerje e Bayern Munchen.

Nëse ndalojmë një vit më vonë dhe arrijmë te 18-vjeçarët, këtu komandon amerikani Christian Mate Pulisiç, debutues te Borussia Dortmund dhe mbajtës i disa rekordeve në dy kontinente.

Viti 1999 është i fundit i analizës shkencore mbi futbollin dhe në teori është më i vështiri për të gjetur titullarë fiks në ekipet e mëdha. Por këtu bën përjashtim portieri Donnarumma. Gardiani milanisti komandon një renditje që tregon edhe se, përse për mbrojtësin ekstrem të kuqezinjve ofrohen deri në 50 milionë euro.

Top Channel