“Busabout” iu ofron “udhëtimin e jetës”

23/02/2017 00:00

“Jemi duke kërkuar persona për punën më të bukur në botë”. Slogani është padyshim tejet tërheqës dhe po e tillë duket edhe oferta e kompanisë “Busabout”, e cila po kërkon dy “të varur nga udhëtimet” për të udhëtuar anembanë Europës me stafin e saj, e për të treguar eksperiencat përmes videove, fotove dhe shkrimeve.

Vendet në dispozicion janë dy dhe kandidatët e përzgjedhur do të mbulojnë për 6 muaj rolet e ambasadorit të markës “Busabout” dhe krijuesit të videove. Për secilin nga dy pozicionet ka kërkesa specifike.

Ambasadori duhet të jetë një rrëfyes i zellshëm, i apasionuar pas historisë, me dobësi të veçantë ndaj fakteve të pazakonta, një talent në shkrim, një aventurier, të jetë i natyrshëm përpara një fotokamere, “i droguar” pas medieve sociale dhe një varësi të pashërueshme pas udhëtimeve.

Krijuesi i videove, ndërkohë, duhet t’i kushtojë vëmendje detajeve, të jetë i aftë në redaktim, krijues dhe i aftë për të përmbushur afatet.

Të përzgjedhurit do të udhëtojnë në 34 qytete europiane dhe do t’i kenë të gjitha shpenzimet të mbuluara, duke nisur nga fluturimet e deri te akomodimet, nga ekskursionet tek ushqimi, për të cilat është parashikuar një buxhet ditor.

Në faqen e internetit njoftohet gjithashtu edhe një shpërblim për këdo që do të përmbushë me sukses projektin, por nuk përmendet asnjë shifër.

“Nëse përzgjidheni, ju do të ndërmerrni udhëtimin më të bukur të jetës suaj”, thuhet në ofertën në fjalë. “Shëtitje idilike përgjatë Senës, vizita në kështjellat antike të Republikës Çeke, në alpet zvicerane, kalimet nga një ishull në tjetrin duke admiruar muzgun grek, festat në Ibiza dhe ndonjë birrë me krikëll në Oktoberfest”.

Për të aplikuar është e nevojshme të publikosh në “Youtube” një video prej 3 minutash të gjatë (maksimumi) në të cilën të shfaqen në mënyrë kreative aftësitë e kandidatit. Kandidatët mbi 18 vjeç kanë kohë ta bëjnë këtë gjë deri më 5 mars.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel