Greqi, “Abetarja e të burgosurit” botohet edhe në shqip

23/02/2017 00:00

Ministria greke e Drejtësisë ka publikuar edhe në dy gjuhë të tjera, në shqip dhe në anglisht, udhëzuesin informativ me titull “Abetarja e të burgosurit”.

Bëhet fjalë për një udhëzues që ka për qëllim t’u japë edhe të burgosurve të huaj, që vuajnë dënimet e tyre në institucionet penitenciare greke, informacione të kuptueshme për të drejtat dhe detyrimet që ata kanë gjatë kohës së burgimit.

Përkthimi në shqip, një ofertë e Ambasadës shqiptare në Athinë, është botuar në 3.000 kopje, përafërsisht aq sa numri i shtetasve shqiptarë që vuajnë dënimet në Greqi, një shumicë e konsiderueshme e të cilëve nuk e kupton gjuhën greke.

Në thuajse 50 faqet e saj përshkruhen me hollësi në gjuhën amtare të drejtat e një të burgosuri, si arsimimi, e drejta e votimit, greva e urisë, informimi, argëtimi, korrespodenca, mjekimi, ekstradimi, por edhe detyrimet si respektimi i rregullores së burgut dhe urdhrave të personelit, puna korrektuese, rrobat, higjiena etj.

Siç theksohet në parathënien e broshurës, njohja dhe ushtrimi i të drejtave dhe detyrimeve që kanë synim respektimin e dinjitetit njerëzor dhe mbrojtjen e jetës, ndihmojnë dikë jo vetëm që të lirohet sa më shpejt, por bëjnë edhe kohën e qëndrimit të tij në burg më të lehtë.

Top Channel