Zaev: Në mars, qeveri me BDI-në; VMRO: Mbrojmë vullnetin e qytetarëve

23/02/2017 00:00

VMRO-DPMNE do të bëjë gjithçka për të mbrojtur vullnetin e qytetarëve. Ky ka qenë reagimi i partisë së Nikola Gruevskit, pas njoftimit për një koalicion të mundshëm qeveritar mes LSDM-së dhe BDI-së.

Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Ivo Kotevski përmendi rastin e vitit 2006, kur zgjedhja e tyre për të krijuar qeverinë me PDSH-në u kundërshtua ashpër nga BDI-ja e Ali Ahmetit dhe bashkësia ndërkombëtare, me argumentin se nuk po respektohej vullneti i shqiptarëve.

Sipas tij, ata kishin fituar më shumë vota në zgjedhje, kishin numrin më të madh të deputetëve, e kjo u jepte mandatin për të mbrojtur vullnetin e popullit. Ndërsa Nikola Gruevski paralajmëroi se, kushdo që dëshiron të bëjë pazar me interesat kombëtare shtetërore, duhet ta dije se ka edhe të tjerë që janë të gatshëm të luftojnë për to.

Udhëheqësi i LSDM-së, Zoran Zaev tha se kanë mbetur për t’u kapërcyer edhe disa çështje të vogla në bisedimet me Bashkimin Demokratik për Integrim, e pas 10 ose 15 ditësh vendi do të ketë një qeveri të re.

“Firmat për mandatin e qeverisë u morën. Them se pak gjë duhet që bisedimet të mbyllen, duke qenë se për temat më të rëndësishme, siç është programi i qeverisë së ardhshme, platforma e socialdemokratëve, platforma e partive shqiptare dhe ligji mbi përdorimin e gjuhëve, është gjetur gjuha e përbashkët”, tha Zaev.

Kreu i LSDM-së tha se kanë arritur të harmonizojnë qëndrimet lidhur me pjesën më të madhe të ligjit të ri për gjuhën shqipe, por për një marrëveshje përfundimtare duhet që grupet e punës të punojnë për detajet e fundit, në mënyrë që të mos lihet asnjë boshllëk për kontestimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese.

LSDM dhe BDI kanë pasur qëndrime të njëjta edhe për buxhetin dhe shpërndarjen e barabartë të parave të shtetit apo investimeve, në zonat e banuara nga shqiptarët.

Top Channel