Paris, protesta pas përdhunimit nga policia të një të riu

23/02/2017 00:00

Qindra studentë të shkollave të mesme në Francë kanë zhvilluar një protestë kundër policisë në kryeqytetin Paris. Gjatë protestës ka pasur momente sporadike të shfaqjes së dhunës. Protestuesit bllokuan hyrjen e dhjetëra shkollave të Parisit.

Autoriteti më i lartë arsimor i kryeqytetit francez tha se më shumë se 10 gjimnaze kishin rënë prè e të rinjve, të cilët kishin vendosur kazanët e mbeturinave dhe objekte të tjera në portat hyrëse. Një nëndrejtor shkolle raportohet të jetë plagosur, në momentin kur protestuesit hodhën një bombolë fikëse zjarri.

Përmes rrjeteve sociale u mësua se luftimet nisën në momentet e fundit të një proteste të zhvilluar në “Place de la Nation”, një shesh i madh në lindje të Parisit. Forcat speciale të policisë, me kaska mbrojtëse, ishin ato që avancuan drejt grupeve të të rinjve të cilët ishin të maskuar. Ndërsa një helikopter ishte ngritur në fluturim, prej të cilit u hodh gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e protestuesve.

Por përse u zhvillua kjo protestë? Ajo është e fundit e një serie demonstratash pas pretendimit të përdhunimit të një të riu me ngjyrë nga policia, duke përdorur një shkop gome. 22-vjeçari thuhet të jetë sulmuar gjatë një përpjekje arrestimi më 2 shkurt. Deri më tani, 4 oficerë policie janë pezulluar në pritje të hetimeve ndaj incidentit të 21 ditëve më parë, ndërsa ndaj njërit kanë nisur hetimet formale për akuzat e përdhunimit. Ndaj 3 të tjerëve po hetohet për përdorim të panevojshëm të forcës.

Personi i sulmuar, i njohur si Theo, ndodhet në spital ku po trajtohet për dëmtime në fundshpinë dhe në kokë. Ai ka bërë thirrje që publiku të qetësohet. Familja e tij është shprehur gjithashtu se kanë besim të plotë në sistemin francez të drejtësisë.

Por, ndërkohë, njëra prej parullave të shfaqura gjatë protestës së kësaj të enjteje bënte thirrje për “hakmarrje për Theon”. Deri më tani, policia ka arrestuar 8 persona që janë përfshirë në përleshje mes të rinjve. Policia e Parisit ka paralajmëruar njerëzit të ruajnë qetësinë dhe të mos marrin pjesë në protestë, duke qenë se ajo nuk ka qenë e autorizuar dhe se ekziston mundësia që grupe të dhunshme të shkaktojnë trazira.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel