E sëmurë dhe e pastrehë; Familjes së 10-vjeçares iu dogj dhe shtëpia

23/02/2017 00:00

Përveç shtëpisë së djegur të mërkurën në Elbasan, edhe vajza 10 vjeçare e familjes e ka përjetuar rëndë ngjarjen dhe shëndeti i saj është rënduar.

Ervisa Ruda, vuan nga një sëmundje e rëndë e zemrës dhe pak kohë më parë, prindërit e saj kërkuan ndihmë në Top Channel.

Prindërit thonë se vajza u përkeqësua nga tronditja që pësoi kur shtëpia e tyre dhe e fqinjëve u përfshi nga flakët.

Zjarri që ra të mërkurën i ka shkrumbuar tërësisht banesat e dy familjeve në lagjen “5 Maji”.

Na kanë ngelur vetëm muret dhe ato janë jashtë përdorimit. Vajza është dobët, çik ishte sëmurë siç edhe e dini, ca edhe stresi”, shprehet Ali Çili, gjyshi i Ervisa Rudës.

“Nuk na ka mbetur asgjë”, thotë gjyshja e Ervisës.
 
Ndërsa Skënder Kasneci, u ndalua nga policia teksa kërkonte të shpëtonte vetëm dokumentet e pensionit të invaliditetit.
 
U bllokova direkt, gruaja dhe vajza dolën. Unë tentova të hy përsëdyti, por nuk arrita dot për shkak të tymit, më pas u ndalova edhe nga policia”, tregon Skënder Kasneci.

14 persona e kanë kaluar natën jashtë ndërkohë që tashmë u duhet të mendojnë ku do të strehohen për ditët në vijim. Jo vetëm mobiliet, por e gjithë shtëpia ka dalë jashtë funksionit pasi djegia e bodrumit ka zhvendosur poshtë të gjithë ndërtesën.

Top Channel