Bizhuteritë hua për Oskar

23/02/2017 00:00

Yjet e ekranit po përgatiten të shndrrijnë akoma më shumë në mbrëmjen e madhe të Academy Awards, dhe për këtë, në ndihmë do t`iu vijnë diamantët. Praktika e huazimit të bizhu-ve me gurë të çmuar në raste të tilla është e mirëpritur si nga argjendaritë e mëdha ashtu dhe nga vetë Vip-at.

Kompania Forevermark Diamonds krijoi një shtëpi diamantësh siç e quan ajo, për të ekspozuar më mirë objektet e sërvirura personave të famshëm ose njerëzve që do të kujdesen për pamjen e tyre mbrëmjen e Oskarëve.

“Kur stilistët vijnë këtu, ata zakonisht e kanë pak a shumë idenë se çfarë kërkojnë, dhe ne i shoqërojmë gjithandej duke i treguar të gjitha stolitë që kemi në dispozicion. Këtu gjen çdo gjë, nga bizhuteritë klasike, tek ato më modernet e sigurisht, edhe variantet që nuk njohin kohë”, thotë Kristen Trustey, Forevermark Diamonds. 

Trendi i madh i momentit janë vëthët, si ato të thjeshtit, ashtu dhe ato që e mbulojnë thuajse të gjithë pjesën e jashtme të veshit.

“Vëthët me diamantë janë të preferuarat sivjet. Që të gjitha, duke filluar nga ata më të vegjlit e deri te të gjatët. Kjo ka qënë tendenca prej gati dy sezonesh, por vazhdon të mbetet mjaft popullore”, thotë Trustey.

Janelle Monae Brie Larson , Hailee Steinfeld dhe Olivia Munn janë në mesin e emrave të njohur që përdorën bizhuteritë e kësaj kompanie në Oskaret e një viti më parë. Yjet do të shkëlqejnë më fort se kurrë në 26 shkurt kur në Dolby Theatre te Hollywood-it të dorëezohen çmimet më të mëdha të kinematografisë.

Top Channel