Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev deklaroi se janë siguruar tashmë firmat e shumicës së ligjvënësve maqedonas për mandatin qeverisës.

Sipas kreut të Lidhjes Sociale-Demokrate, vetëm disa çështje të vogla kanë mbetur për t’u kapërcyer në bisedimet me Bashkimin Demokratik për Integrim dhe brenda 10 apo 15 ditësh, vendi do të ketë një qeveri të re të drejtuar prej tij.

“Firmat për mandatin e qeverisë u morën. Them se pak gjë duhet që bisedimet të mbyllen, duke qenë se për temat më të rëndësishme, siç është programi i qeverisë së ardhshme, platforma e social-demokratëve, platforma e partive shqiptare dhe ligji mbi përdorimin e gjuhëve, është gjetur gjuha e përbashkët”, deklaroi Zaev.

Sipas tij, lidershipi i BDI-së vendosi mbrëmjen e së mërkurës që të ofronte firmat e nevojshme për mandatin qeverisës.

Më herët, Zaev sqaroi se për ujdinë finale nevojitej që grupet e punës të punojnë edhe në detajet e fundit, në mënyrë që të mos lihet asnjë boshllëk për kontestimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese. Maqedonia ka pasur durim deri tani, citohet të ketë thënë ai, mendoj se mund të presë edhe disa ditë.

Përveç gjuhës, në pikat e tjera nga platforma e përbashkët e partive politike shqiptare që fituan mandate në përbërjen e re parlamentare, LSDM dhe BDI kanë pasur qëndrime të njëjta, përfshirë edhe atë për buxhetin dhe shpërndarjen e barabartë të parave të shtetit, apo investimeve në zonat e banuara nga shqiptarë.

Bashkimi Demokratik për Integrim e konfirmoi se pengesa e madhe në krijimin e një ekzekutivi me social-demokratët në opozitë, ajo e gjuhës, është hequr dhe se në linja të përgjithshme pajtohet me draftin e projektligjit të hartuar nga LSDM për gjuhën.

Tani mbeten dhe disa detaje të tjera të vogla për diskutim përpara se të dilet me një vendim përfundimtar.

Top Channel