Prokurori kërkoi lirimin e vrasësit. Llalla i hap çështje 3 orë para gjyqit

23/02/2017 00:00

Gjykata e Lartë dënoi tre të rinjtë që akuzoheshin për vrasjen e trefishtë në Vlorë, pavarësisht faktit se prokurori u përpoq ta zbusë akuzën. Vendimi u parapri nga pezullimi që iu bë prokurorit Artur Selmani.

Prokurori i Përgjithshëm pezulloi nga detyra edhe drejtoreshën e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça, si edhe urdhëroi nisjen e hetimit ndaj tyre, duke cilësuar të dyshimtë qëndrimin që mbajtën në Gjykatën e Lartë, ku u shqyrtua rekursi për këtë ngjarje të rëndë.

Në 4 korrik të vitit 2015, në Vlorë u vranë tre të rinj. Për vrasjen e tyre, Prokuroria e Vlorës gjeti prova dhe akuzoi tre të rinjtë, Aleksandër Llanaj, Ani Begaj dhe Bertil Aliaj. Kërkesat e Prokurorisë së Vlorës dhe më pas asaj të Apelit Vlorë, u gjetën të bazuara nga gjykata, e cila dha vendime të rënda për të rinjtë, një me burgim të përjetshëm dhe dy me 35 vjet burg. Të pandehurit dorëzuan rekurs në Gjykatën e Lartë, duke mos pranuar akuzat.

Në Gjykatën e Lartë, prokurori i çështjes Artur Selmani nuk mbështeti qëndrimet e mëparshme të prokurorisë, por kërkoi pushimin e akuzave shumë të rënda për dy nga fajtorët dhe për një të tretë burgimin me 4 vjet burg, duke e cilësuar ngjarjen si shkëmbim zjarri dhe vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes.

Pa u dhënë vendimi në Gjykatën e Lartë, Prokurori i Përgjithshëm u vu në dijeni dhe pezulloi menjëherë nga detyra prokurorin e çështjes. Për shkak se në ballafaqimin me të ai pretendonte se e kishte diskutuar edhe me Drejtorin e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça, prokurori bëri edhe pezullimin e saj nga detyra dhe urdhëroi nisjen e hetimit për veprat penale të “korrupsionit pasiv” dhe “shpërdorim detyre”, për të zbuluar shkaqet e këtij qëndrimi joligjor të prokurorëve. Prokurori i Përgjithshëm kërkoi që pjesë e penalizimit administrativ dhe hetimit penal të jenë edhe ndihmësit gjyqësorë, të cilët kanë përgatitur relacionin për prokurorin.

Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të ndërhyjë më në kërkesat që bëjnë prokurorët, për shkak të decentralizimit, të përcaktuar nga Kushtetuta e re dhe reforma në drejtësi, ndaj pezullimi nga detyra ishte veprimi i vetëm i tij, për të penguar prokurorin Selmani të merrte pjesë në proces për të kërkuar lirimin e të dënuarve.
Por, Gjykata e Lartë, që u njoh më parë me pezullimet nga detyra në Prokurorinë e Përgjithshme, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit në Vlorë.

Aleksander Llanaj ishte i vetmi që përfiton për shkak se kishte kërkuar më herët gjykim të shkurtuar. Atij iu dha burgim i përjetshëm nga Gjykata e Lartë, por, për shkak të procedurës ligjore të kërkuar prej tij i konvertohet në 35 vjet burg.

Top Channel