F1, Sauber e Force India prezantojnë makinat

23/02/2017 00:00

Pas Renault, erdhi radha për Sauber dhe Force India që të bëjnë prezantimin e makinave të tyre në prag të Botërorit të Formulës 1.

Skuadra zvicerane, që pak ditë më parë publikoi imazhet e para të makinës C36, e bëri prezantimin në pistën e Barcelonës dhe pilotët e saj do të jenë Marcus Ericsson dhe Pascal Wehrlein. Viti 2016 ishte krejtësisht për t’u harruar për Sauberin, që arriti të hyjë në zonën e pikëve në vetëm 1 rast. Ericsson deklaroi se skuadra ka ambicie dhe se synimi i saj për 12 muajt e ardhshëm është që të ketë përmirësime të dukshme. Ndërsa Wehrlein theksoi se është i lumtur për këtë aventurë të re dhe se shpreson që eksperienca e përjetuar te Manor ta ndihmojë në këtë sezon.

Ndërsa Force India e bëri prezantimin e makinës së re në Silverstone. Vitin e kaluar kjo skuadër përjetoi sezonin më të mirë të saj, teksa u rendit në vendin e katërt për konstruktorë, pas Mercedesit, Red Bullit dhe Ferrarit. Sergio Perez dhe Esteban Ocon do të jenë pilotët që do të garojnë për këtë skuadër në Botërorin e këtij viti dhe drejtuesit e Force Indias preferojnë të tregohen të kujdesshëm përsa u përket objektivave.

Kjo politikë u vu në dukje nga vetë pronari Mallya, i cili tha se stafi teknik i skuadrës ka punuar shumë mbi makinën e re VJM10, që do të përdorë motorët Mercedes dhe se në këtë moment askush nuk po flet për objektiva konkretë.

Top Channel