Basha vendos kushte: Vettingu, pas qeverisë teknike

23/02/2017 00:00

Vettingu është bërë pjesë e protestës së opozitës, kur Lulzim Basha e përfshiu atë në formën e një kushti për nisjen e procesit.

Propozimi i Bashës është një rikthim në kohën e diskutimit të 7 ligjeve bazë të reformës, kur mazhoranca i miratoi pa konsensus 6 prej tyre.

“Por nëse me të vërtetë janë ata që nuk kanë frikë nga vettingu, atëherë u them se menjëherë pas paktit për një qeveri të vullnetit të mirë për zgjedhje të lira e të ndershme dhe pas korrigjimit të 7 ligjeve sipas vërejtjeve të opozitës, urdhëroni ta bëjmë vettingun e të shohim kush ka frikë nga drejtësia e pavarur”, deklaroi Basha.

Ky propozim i Bashës vjen pas takimit të dytë me raportuesin për Shqipërinë, Knut Fleckenstein paraditen e së enjtes.

Por ai është edhe një refuzim për skemën e propozuar nga Ilir Meta, sipas të cilit negociatat mund të nisin pasi mazhoranca dhe opozita të votojnë në Parlament kandidatët për vettingun.

“Sot, për këto institucione kjo mazhorancë që e ka frikë reformën në drejtësi propzon 29 kandidatë për 27 pozicione. Pra, nuk ka zgjedhje, ka emërime. Edi Rama dhe Ilir Meta duan t’i emërojnë vetë, në vend që të lejojnë zgjedhjen e më të mirëve”, tha Basha.

Është shumë e paqartë nëse do të ketë ndonjë negociate për çështjen e vettingut, por në çdo rast opozita ka bërë të qartë se për çfarë nuk negocion.

“Kjo nis me zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo nuk ka e nuk do të ketë asnjë kompromis, asnjë negociatë. Qeveri teknike, ose populli do të qëndrojë këtu e do të përballet për largimin e  qeverisë së bërë njësh me krimin”, shtoi Basha.

Top Channel