Enjtja e sotme është e para pas protestës dhe bojkotit të deklaruar të opozitës javën e kaluar. Madje, dhe dera që lidh selinë e Partisë Demokratike me Parlamentin ishte e mbyllur.
I vetmi që ishte ulur në krahun e opozitës ishte deputeti i PDIU-së, Edmond Zejno, i pranishëm të shtunën në protestën e 18 shkurtit. I pyetur nga Top Channel, Zejno tha se në protestë ishte sepse ishin mbështetësit e tij, ndërsa në Parlament erdhi se ai është vendi ku zgjidhet gjithçka.
Megjithatë, peshën e opozitës e mori Ben Blushi, i cili nuk kurseu akuzat ndaj mazhorancës, por pa kursyer edhe protestën e Partisë Demokratike.
“Sot jemi kthyer në të shkuarën dhe është për t’u lavdëruar aftësia perfekte e dy partive të vjetra për të imituar dhe përsëritur njëra-tjetrën. Koha provoi se janë të dyja çalamane, futen në protestë dhe në grevë për një arsye të vetme, për patericën e Ilir Metës. Askush nuk vjen dot në pushtet me këmbët e veta, prandaj kërkojnë patericën e LSI-së”, tha Blushi.
Erion Braçe nuk pranoi krahasimin e dy protestave dhe argumentet e Blushit. “Kur PS hyri në grevë nuk kishte asnjë kusht nga BE, por vetëm një kërkesë: të shihte votat në kutitë e votimit. Ju mohua dhe vetëm ju mohua dhe shkoi drejt tentativës për të plotësuar këtë kërkesë në grevë urie, por që është krejt e ndryshme nga kjo që po ndodh sot. Nëse në këtë sallë ka njerëz që nuk bëjnë dot dallimin mes atij që vrau 4 veta dhe atyre që ishin atje të vjedhur e të grabitur për të drejtën themelore të votës, kjo është shumë dhe për këtë mund të ulëritet”, tha Braçe.
Debati mes Braçes dhe Blushit vijoi me këtë të fundit që i tha një gjëegjëzë ish-kolegut socialist. “Unë kam një mace, ta fal ty. Macja kafshon rastësisht Taulantin. Kush e ka fajin Erion? Unë, ti, taulanti, apo macja?”, tha Blushi.
Top Channel