Turqi, qeveria rikthen shaminë në ushtri

22/02/2017 00:00

Qeveria turke i ka dhënë dritë jeshile mbajtjes së shamisë nga femrat në ushtri, duke shfuqizuar normën që e ndalonte atë.

Ushtria është institucioni i fundit që i nënshtrohet këtij ndryshimi, që i jep një goditje të rëndë kushtetutës laike të vendit.

Mbajtja e shamive në institucionet publike u ndalua në vitet ’80. Por presidenti pro-islamik i Turqisë, Recep Tayip Erdogan argumenton se norma e shfuqizuar ishte vetëm një gjurmë e rëndomtë e së kaluarës.

Mbështetësit e laicitetit e shohin shaminë si një simbol të konservatorizmit fetar dhe e kanë akuzuar presidentin Erdogan se, por zhvillon një axhendë islamike, duke i kthyer shumë shkolla publike në institucione fetare, me qëllim ngritjen e një brezi fanatik.

Në dekadën e kaluar, norma që ndalonte shaminë u hoq në shkolla, universitete, administratën civile, ndërsa gushtin e vitit të kaluar u hoq edhe nga policia.

Nga ana e tyre, konservatorët janë përgjigjur duke thënë se, për një kohë të gjatë shiheshin si qytetarë të dorës së dytë dhe se mbajtja e shamisë është shprehje e lirive individuale.

Korrespondenti i BBC në Ankara thotë se hendeku mes fetarëve dhe laikëve në Turqi është i vjetër sa vetë republika, por në vitet e fundit është bërë më i theksuar.

Top Channel