Meksika: Amerika Latine të bashkohet kundër ksenofobisë së Trump

22/02/2017 00:00

Kryetari i Parlamentit të Meksikës u bëri thirrje vendeve të Amerikës Latine dhe atyre të Karaibeve që të bëhen bashkë kundër “ksenofobisë së Donald Trump”.

“Thirrja jonë është që të krijohet një front i përbashkët përballë situatës aktuale”, tha Javier Bolanos, në një takim me ambasadorët e Argjentinës, Brazilit, Kilit, Kosta Rikës, Kubës dhe Republikës Domenikane.

Bolanos u bëri thirrje diplomatëve që t’i japin zë “të fortë dhe të qartë” refuzimit të shprehjeve ksenofobike të presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Kryetari i ligjvënësve tha se, deputetët dhe senatorët meksikanë do të dënojnë çdo diskriminim kundër emigrantëve në Shtetet e Bashkuara, sidomos tani që administrata Trump u është vënë pas atyre.

“Ne i dënojmë ato veprime që janë ndërmarrë deri tani, të cilat cënojnë të drejtat e njeriut të emigrantëve që jetojnë në atë vend”, tha Bolanos.

Ai shtoi se gjatë takimit ndërparlamentar Meksikë-Kubë, i mbajtur fundjavën e kaluar, dy palët vendosën të mbajnë takime më të shpeshta edhe me përfaqësues të vendeve të tjera latine dhe atyre të Karaibeve.

Pjesëmarrësit në takim ranë dakord se situata aktuale në Amerikë përbën një kërcënim për emigrantët dhe për këtë ranë dakord për një reagim rajonal për t’i mbrojtur ata.

Top Channel