Francë, stafi i Marine Le Pen nën hetim

22/02/2017 00:00

Çështja e pagesave për punë fiktive po pengon seriozisht përpjekjen e Marin Le Pen për t’u bërë presidente e Francës. Truproja dhe shefi i stafit të lideres së Frontit Nacional u ndaluan e u morën në pyetje nga hetuesit francezë të mërkurën.

Thierry Legier dhe Catherine Griset thuhet se janë paguar për punë joekzistuese në Parlamentin Europian. Në një reagim publik, drejtuesja e partisë ekstremiste, denoncoi zhvillimet e fundit  që e kanë vënë atë në qendër të një skandali të ngjashëm me atë të kandidatit tjetër, Fransua Fillon.

Republikani po hetohet gjithashtu për përdorimin e fondeve publike për të paguar gruan dhe fëmijët e tij. E vetëdijshme se imazhi i saj dhe avantazhi që gëzon në sondazhe mund të cënohet rëndë, Le Pen tha të mërkurën se votuesit e bindur nuk do binin pre e manipulimit.

“Francezët janë në gjendje të bëjnë dallimin mes skandaleve të vërteta dhe marifeteve të pista politike”, deklaroi Le Pen.

Sondazhet sugjerojnë se euroskeptikja do të fitojë në raundin e parë të zgjedhjeve në 23 prill, por sipas tyre do të humbasë në të dytin përballë Fillon, ose përfaqësuesit të pavarur, Emanuel Macron.

Mbështetjet për Fillon pësuan rënie pas skandalit për pagesat fiktive, por që prej atëherë pozitat e tij janë forcuar dhe tani është kokë më kokë me Macron.

Top Channel