Rritet besimi te Shëndetësia, Beqaj: Një në dy shqiptarë mendojnë pozitivisht

22/02/2017 00:00

Një në dy shqiptarë besojnë në Shërbimin Shëndetësor Publik. Këto janë të dhënat e një sondazhi bazuar në opinionin publik për vitin 2015, i cili për ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj është viti i parë kur shpenzimet publike kanë kaluar më shumë se gjysmën e shpenzimeve të bëra nga familjet shqiptare.

“Besimi i shqiptarëve te shëndetësia publike është 50%. Në pamje të parë nuk është shifër pozitive, që do të thotë një në dy shqiptarë nuk kanë besim te shëndetësia publike. Por në dhjetor të vitit 2013 kemi qenë 30%, që do të thotë se në 3 vite jemi rritur nga një në 3 shqiptarë që na besonin, në një në dy shqiptarë”, tha ministri Beqaj.

Ministria e Shëndetësisë ka nisur një projekt për të llogaritur kostot reale të shërbimit shëndetësor sipas diagnozës. Ndonëse deri më tani dihet se, sa është realisht kostoja e një dialize, apo koronarografie, tanimë do të përllogaritet sesa kushton një analizë në laborator, e më pas një ndërhyrje kirurgjikale.

“Ne do të jemi në gjendje të kuptojmë realisht sa kushton në rastin konkret kujdesi spitalor në Shqipëri. Në spitalet universitare të Tiranës ankohen që spitalet rajonale i sjellin të gjitha gjërat në Tiranë, ndërkohë që në fund të fundit 3 milionë shqiptarë jemi, dimë çfarë demografie kemi, dimë dhe çfarë profili epidemiologjik kemi”, tha Beqaj.

Gjatë vitit 2016 u plotësuan 75% e nevojave për ndërhyrje miniinvazive kardiologjike me financim publik, ku edhe në institucionet private shteti pagoi të njëjtën kosto sikur ndërhyrja të ishte bërë në spital publik.

Top Channel