Gjermani, përshpejtohet deportimi i azilkërkuesve të pasuksesshëm

22/02/2017 00:00

Ekzekutivi i Gjermanisë ka miratuar këtë të mërkurë një plan, përmes të cilit do të bëhet më e lehtë deportimi i azilkërkuesve, kërkesat e të cilëve janë refuzuar.

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere tha se masat e fundit nënkuptojnë se deportimi i azilkërkuesve me kërkesa të pamiratuara do të përshpejtohet, e në këtë mënyrë më shumë njerëz do të rikthehen në vendet e tyre të origjinës.

Gjermania u “përmbyt” nga mbi 890 mijë azilkërkues në vitin 2015, ndërsa prej atëherë ka punuar mbi mënyrën sesi do të përballonte këtë fluks, duke përshpejtuar si dhënien e azilit ndaj atyre që e meritojnë vërtet atë, ashtu edhe kthimin mbrapsht të atyre që nuk ia dalin të sigurojnë azil.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila garon në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit, ka bërë thirrje vazhdimisht për një “përpjekje kombëtare” për të siguruar që njerëzit pa të drejtë qëndrimi të largohen nga vendi.

Masat e reja përfshijnë edhe përmirësimin e rregullave që e bëjnë më të lehtë marrjen në pyetje të personave që besohet se janë të rrezikshëm, përpara se t’i deportojnë ato, si dhe dhënien e lirisë së veprimit ndaj autoriteteve për mbikëqyrjen e tyre, tha De Maiziere. Gjithashtu u lejohet autoriteteve të shqyrtojnë dhe vlerësojnë të dhënat në telefonat celularë apo kompjutera, kur identiteti i një azilkërkuesi është i dyshimtë.

Gjermania ka nisur së fundi deportimin e më shumë afganëve, një lëvizje e kritikuar ashpër nga disa që nuk e konsiderojnë Afganistanin një vend të sigurtë. Disa qeveri rajonale, të cilat menaxhojnë deportimet, kanë refuzuar t’i kthejnë mbrapsht njerëzit në Afganistan. Vetëm në orët e vona të kësaj të mërkure është programuar që një grup me 50 individë për t’u deportuar të nisen nga Mynihu drejt Kabulit.

Ndërkohë, shteti i Bavarisë ka njoftuar planet për të ndaluar mbulimin e plotë të fytyrës në ambientet qeveritare të punës, në shkolla, universitete apo edhe teksa drejtojnë një automjet.

“Komunikimi zhvillohet jo vetëm përmes gjuhës, por edhe përmes pamjes, shprehjeve të fytyrës dhe gjestikulacioneve”, tha ministri i Brendshëm i këtij shteti, Joachim Herrmann.

Por kritikët thonë se ky ndalim do të ketë pak ndikim praktik në Bavari, pasi aty ka shumë pak myslimanë. Sipas tyre, qeveria rajonale e bën këtë gjë me synimin për zgjedhjet e ardhshme federale.

Top Channel