F1, Renault prezanton makinën e re

22/02/2017 00:00

Renault është skuadra e parë që bën prezantimin zyrtar të makinës së saj në prag të Botërorit të Formulës 1, që do të nisë më 26 mars me Çmimin e Madh të Australisë.

Ish-skuadra kampione e botës u rikthye në Formula 1 në vitin 2016, pasi arriti të blejë Lotusin e falimentuar, për ta mbyllur sezonin në vendin e 9 në klasifikimin për konstruktorë.

Pilotët e Renault për këtë sezon do të jenë Nico Hulkenberg dhe Jolyon Palmer. Piloti gjerman, që la Force India, zëvendësoi Kevin Magnussen, me këtë të fundit që preferoi kalimin te skuadra amerikane e Haas, ndërkohë që piloti testues do të jetë rusi Sergey Sirotkin.

Renault ka bërë investime të rëndësishme te makina e re, telajo e së cilës dominohet nga ngjyra e verdhë dhe ajo e zezë. Për këtë sezon, objektivi i skuderisë franceze është që të arrijë të ngjitet në podiumet e garave dhe të mbyllë kampionatin në vendin e pestë.

“Vendi i pestë është një objektiv mëse i arritshëm. Sigurisht ka persona që do të mendojnë se kjo nuk është ambicie shumë e madhe, por ne kërkojmë një rrugë të mesme. Ideja është që të krijojmë një skuadër, që në vitin 2020 të jetë në gjendje të luftojë për titullin botëror”, tha drejtori sportiv i Renault, Cyril Abiteboul.

Top Channel