Thirrja e Fleckenstein: Kthehuni! Mos ndaloni Vettingun

22/02/2017 00:00

Raporteri Knut Fleckenstein e konsideroi vendimtare javën e ardhshme në Parlament për reformën në drejtësi, kohë kur duhen votuar nga opozita dhe pozita komisionet e Vettingut.

Eurodeputeti gjerman i ka kërkuar Partisë Demokratike që të heqë dorë nga bojkoti parlamentar dhe t’i rikthehet punës për të mos bllokuar procesin e Vettingut, një qëndrim që do të sillte shtyrjen e çeljes së negociatave të anëtarësimit në BE në një kohë të pacaktuar.

“U kërkoj kolegëve dhe miqve të mi në Partinë Demokratike që të vazhdojnë atë që ata e mendojnë se është e nevojshme, por u kërkoj atyre që të kthehen në punë. Ky nuk është vetëm mendimi i Knut Fleckenstein, apo i Komisionerit Hahn, apo i përfaqësueses së lartë Mogherini, apo i ambasadores së BE në Shqipëri, zonjës Vlahutin, por i të gjithëve ne. Ju e dini që kur kemi diskutuar reformën në drejtësi ajo ka qenë një betejë e fortë në mënyrë që të siguronim ndarjen 50 me 50 të komisioneve, ndaj u them kolegëve të mi të PD-së; mos na jepni ndjesinë që keni keqpërdorur këtë. Minimalja që u kërkoj është që të ktheheni dhe të shkoni në punën e komisioneve. Mos ndaloni procesin e Vettingut dhe reformën në drejtësi”, deklaroi Fleckenstein.

Raporteri përcaktoi shtatorin si kohë kur merret vendimi për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit, nëse mazhoranca dhe opozita kanë zbatuar praktikisht Vettingun dhe kanë realizuar me standarde demokratike zgjedhjet e qershorit.

“Opozita e di që katër muaj para zgjedhjeve duhet të ketë qartësi dhe e ashtuquajtura qeveri teknike, nuk shoh sesi mund të ketë marrëveshje për këtë çështje javën që vjen”, u shpreh ai.

Fleckenstein pati edhe një apel për ish-kryeministrin Berisha.

“Kam shumë respekt për zotin Berisha, ish-Kryeministër, ish-President i Shqipërisë, por do të doja që t’i kërkoja atij me të vërtetë që të mos fliste më për përralla sorosiane”, u shpreh eurodeputeti.

Top Channel