Serbi, refugjatët e bllokuar tentojnë sërish kalimin ilegal në Hungari

22/02/2017 00:00

Ndërkohë që moti po ngrohet, një numër në rritje refugjatësh, që enden përreth kryeqytetit serb Beograd, thonë se do të ndërmarrin rrezikun e kalimit të paligjshëm në Hungari, përmes kufirit të mbyllur serbo-hungarez.

Një rrethim 4 metra i lartë dhe 175 km i gjatë është ngritur në kufi në shtator të vitit 2015, për të ndaluar refugjatët që i ishin drejtuar Europës Perëndimore. Qeveria hungareze lejon aktualisht vetëm një numër të vogël refugjatësh të hyjnë në territorin e saj.

Përpara se të marrin lejen zyrtare, të gjithë refugjatët duhet të qëndrojnë në vende të tjera jashtë Hungarisë. Autoritetet hungareze njoftojnë më pas familjen e kualifikuar, që sidoqoftë duhet të presë gjatë, ndoshta edhe me muaj të tërë, ndërkohë që disa as nuk arrijnë ta marrin njoftimin.

Për azilkërkuesit individualë, sidoqoftë, marrja e lejes është thuajse e pamundur. Aplikantët e kualifikuar i nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore në një zyrë të ngritur në kufi, ku duhet të lënë gjithashtu edhe shenjat e gishtave dhe të bëjnë fotografi.

Pas një serie procedurash, ata transferohen në kampe refugjatësh në Hungari. Ata që janë ende të bllokuar përgjatë kufirit në Serbi presin radhën, e ndërkohë mund të shijojnë ndonjëherë ushqime të ngrohta, pasi autoritetet kanë filluar shpërndarjen e tyre çdo pasdite.

“Njerëzit nuk kanë mundësi tjetër, nuk kanë ushqime. Ndaj ne e bëjmë këtë deri në gjetjen e një zgjidhjeje më të mirë”, thotë një vullnetare britanike.

Ata që nuk shohin shpresë për të marrë lejen e autoriteteve, ndërkohë, kërkojnë mundësi të tjera për të hyrë në Hungari. Pavarësisht masave të rrepta të kontrollit, me policë të dislokuar gjatë kufirit çdo 40-50 metra, disa thonë se mund edhe t’ia dalin.

“Koha po ngrohet dhe ne do ta provojmë sërish”, thotë një refugjat afgan. Sipas tyre, hyrja ilegale është e vetmja mundësi, pasi nuk mund të kthehen më në shtëpitë e tyre. “Kufiri do të thotë mos kalo. Por çfarë të bëj unë? E pranoj, ne jemi gabim. Por nëse unë shoh pas, nuk kam zgjidhje tjetër. Më jepni ju një zgjidhje dhe unë do ta pranoj”, thotë një tjetër refugjat.

Top Channel