Kukës, fermerët ankohen për moskompensim

22/02/2017 00:00

Fermerët kuksianë ankohen se nuk po kompensohen për kafshët e dëmtuara për shkak se analizat laboratorike për kafshët e ngordhura rezultojnë negative për dermatozë nodulare.

Por, pavarësisht kësaj, fermerët ende kërkojnë që qeveria të mbajë premtimin e dhënë për dëmshpërblimin për çdo kafshë të humbur.

“Na kanë ngordhur lopët nga sëmundja e dermatozës, por përgjigjet nga laboratori i Tiranës kanë ardhur negative. Ne kërkojmë dëmshpërblimin si gjithë të tjerët, ashtu siç ka premtuar kryeministri dhe ministri Panariti”, thonë fermerët.

Drejtoria Rajonale e Bujqësisë konfirmon se analizat laboratorike të bëra për 76 kafshë të ngordhura nga sëmundja e gjedhit rezultojnë negative. Pak kohë më parë, në Qarkun e Kukësit nisi kompensimi për gjedhët e prekur nga dermatoza nodulare në kuadër të dëmshpërblimit kokë më kokë.

Qarku i Kukësit është ndër më të prekurit nga kjo sëmundje. Sipas të dhënave të Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, në të gjithë qarkun janë 171 krerë lopë të dëmtuara nga dermatoza nodulare.

Top Channel