“AI”: Kosova e Serbia nuk bashkëpunuan për gjetjen e të zhdukurve

22/02/2017 00:00

“Amnesty International” vlerëson se të drejtat e njeriut janë në rrezik në të gjithë botën, për shkak të politikanëve që përdorin retorikë “helmuese dhe çnjerëzore” kundër pakicave etnike apo fetare, me qëllim forcimin e pushtetit të tyre.

Në raportin vjetor të titulluar “Gjendja e të Drejtave të Njeriut në botë”, organizata mbikëqyrëse thekson se në Kosovë, mbi 1.600 persona vijojnë të rezultojnë të zhdukur qysh nga lufta e fundit. “AI” thotë se as në Serbi dhe as në Kosovë nuk janë gjetur varre të reja masive në vitin 2016, ndërsa thekson se marrëveshjet për bashkëpunim midis dy palëve nuk janë zbatuar.

“Komunitetet e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve kanë vazhduar të vuajnë nga diskriminimi institucional, veçanërisht në qasjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për banim dhe punësim”, thuhet në raport.

Në pjesën për Kosovën, “Amnesty International” thotë se zyra e Prokurorit Special të Kosovës ka qenë me staf të pamjaftueshëm në vitin 2016, ndërsa përmend edhe formimin e Dhomave Speciale në Hagë për ndjekjen penale të ish-anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Përparimi në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, ka mbetur i kufizuar”, thuhet në raport.

Duke u ndalur tek aspekti global, sekretari i Përgjithshëm i “Amnesty International”, Salil Shetty tha se trendi i politikave përçarëse është ilustruar me “retorikën helmuese të fushatës” së Donald Trumpit, tani president i SHBA-ve.

Shetty tha se edhe udhëheqësit e tjerë politikë në pjesë të ndryshme të botës kanë përhapur frikë dhe përçarje. Shetty përmendi Trumpin; presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan; kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban; si dhe presidentin e Filipineve, Rodrigo Duterte; në mesin e politikanëve që e konsiderojnë veten “antiestablishment” dhe përdorin “axhendë helmuese, e cila ndjek dhe viktimizon grupe të tëra njerëzish.

Raporti i “Amnesty International” thotë se retorika politike në SHBA dhe Europë “ne kundër tyre” është nxitur nga kriza globale e shkaktuar nga refugjatët.

Top Channel