Basha: Nuk ka kthim në Parlament!

22/02/2017 11:00

Lulzim Basha tha sot se opozita nuk do të kthehet në Parlament pa u plotësuar kushti për qeveri teknike. Në çadrën e protestës ai lëshoi edhe një mesazh për kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentarin Ilir Meta, të cilët ishin takuar vetëm një natë më parë, në selinë e Kryeministrisë.

“Le ta dëgjojnë mirë Edi Rama dhe Ilir Meta. Jo një, po 10 darka le të hanë, buka e popullit do u ngecë në fyt. Nuk ka pazar me zgjedhjet e lira e të ndershme. Kjo nuk është lëvizja e një partie politike, por lëvizje popullore. Unë nuk jam drejtues politik, por ushtar i kësaj kauze. Partia Demokratike dhe Lulzim Basha nuk bëhen pjesë pazaresh. Para çdo interesi tjetër, është interesi i çdo qytetari shqiptar”, tha Basha.

“Nuk jemi këtu për të bërë pazar me protestën e popullit, nuk jemi këtu për të lënë në baltë qytetarët, por për të shembur nga themelet këtë sistem të korruptuar e të inkriminuar”, shtoi kreu i Partisë Demokratike.

Basha këmbënguli se nuk do të ketë kthim në Parlament pa u plotësuar kushtet që populli i ka vënë politikës.

Top Channel