Gafë e Trumpit, apo realitet? Nisin trazirat në Suedi

21/02/2017 00:00

Vetëm dy ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump shkaktoi jo pak habi me konstatimin e tij të pasaktë se emigrantët ishin përgjegjës për një sërë incidentesh të dhunshme që kishin shënjestruar Suedinë së fundmi, një lagje e banuar kryesisht nga emigrantë në Stokholm është përfshirë realisht nga trazirat.

Lagjja veriore e quajtur “Rinkeby” është bërë arenë përleshjesh edhe në vitet 2010 e 2013, ndërsa në njëfarë mënyre, ajo që po ndodh tani risjell në kujtesë ngjarjet e dhunshme.

Policia suedeze arrestoi një person pranë stacionit nëntokësor “Rinkeby” dhe për arsye ende të panjohura, lajmi i arrestimit nxiti grumbullimin e një turme të rinjsh. Brenda 4 orëve ata i vunë zjarrin dhjetëra automjeteve, vandalizuan disa dyqane dhe qëlluan me gurë policinë.

“Turma e të rinjve erdhi duke u rritur, e më pas filloi të sulmonte dyqanet dhe objekte të tjera në zonë. Pati konfrontime edhe me policinë”, tha Jan Evensson, shef policie.

“Rinkeby” është pjesë e listës me 15 të ashtuquajturat “zona të brishta” të Suedisë. Në vitin 2013, në periferinë “Husby”, ku gjithashtu jetojnë emigrantë, rreth 100 makina u dogjën dhe 7 efektivë u plagosën gjatë trazirave 5-ditore, të cilat u përhapën edhe në qytete të tjera rreth vendit.

Në vitin 2015, kur fluksi i refugjatëve dhe emigrantëve në Europë, nga Afrika, Lindja e Mesme e Azia ishte në kulmin e tij, Suedia pranoi numrin më të madh në proporcion me popullsinë e saj.

Top Channel