NATO, e alarmuar nga ndikimi rus në rritje në Ballkan

21/02/2017 00:00

Përfshirja e Rusisë në vendet e Ballkanit po alarmon NATO-n. Komandanti i lartë i aleancës në Europë, gjenerali Curtis Scaparrioti tha të martën se NATO është e shqetësuar nga aktivitetet e Rusisë në Ballkan, e veçanërisht në Kosovë.

Komentet, ai i bëri gjatë një konference për shtyp në zyrat e KFOR-it në Prishtinë.

“Jam i shqetësuar mbi mënyrat sesi po ndikon Rusia në këtë rajon. Unë do të bëja thirrje që Moska të sigurojë që aktivitetet e saj këtu të jenë në një linjë me Rezuluten 1244 të OKB-së, të cilës i përmbahemi ne, që të garantojmë avancimin e vendit”, tha Curtis Scaparrioti, komandant i lartë i NATO-s.

Scaparrotti siguroi gjithashtu Kosovën se aleanca do të ruajë nivelin aktual të trupave në vendin ballkanik. Sulmet ajrore të NATO-s detyruan Beogradin të tërheqë trupat e tij në vitin 1999, prej kur rreth 4.500 trupa të aleancës vazhdojnë të jenë të pranishme në vend.

Rritjen e ndikimit rus në rajon, e veçanërisht në Kosovë e kanë denoncuar edhe autoritetet kosovare. Në konferencën e Komisioneve për Punët e Jashtme të vendeve europiane, ministrja për Dialogun Edita Tahiri theksoi se Rusia i ka shfaqur hapur ambiciet për ndikimin në rajon.

Rritja e ndikimit rus në Ballkan, sipas zyrtarëve në Prishtinë, po bëhet në kohën e “problemeve të brendshme të BE-së dhe paqartësisë së perspektivës europiane për vendet e rajonit”.

Zv.ministri i Jashtëm kosovar, Valon Murtezaj, duke folur për “Radion Evropa e Lirë” tha se, “aktivitetet destruktive që po ndodhin në rajon kanë prapavijë politike dhe tendenca ruse”. Sipas tij, “përpjekja për hyrjen në Kosovë të trenit të nisur nga Beogradi pak javë më parë ishte një sinjal i ndikimit rus”.

Top Channel