Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi një takim me ambasadorin e SHBA në Tiranë, Donald Lu dhe ambasadoren e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin.

Në këtë takim u bisedua rreth shqetësimit zyrtar të ngritur nga ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili, lidhur me ushtrimin e detyrave të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Presidenti Nishani bëri me dije, se duke e konsideruar reformën në drejtësi me rëndësi jetike për vendin, e ka mbështetur që në gjenezë, si nismëtar i procesit, duke kulmuar me miratimin konsensual në Parlamentin shqiptar të paketës kushtetuese.

Presidenti Nishani theksoi se e konsideron shumë të rëndësishme mbështetjen konsensuale edhe të fazës së zbatimit të kësaj reforme, duke iu përmbajtur detyrimit të të gjitha palëve për të respektuar në gërmë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit vlerësoi angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë, SHBA dhe BE në realizimin e kësaj reforme permes një procesi të paanshëm, ligjor dhe të besueshëm për qytetarët shqiptarë.

Top Channel