Milani tenton ringritjen, objektivi i parë i mundshëm nga Lioni

21/02/2017 00:00

Milani duket se po bën përpjekjet e para për t’u rikthyer në arenën e më të mirëve. Kuqezinjtë kanë bërë kthesën nga një periudhë buzë humnere, duke u konsideruar tashmë si një prej ekipeve më të vlerësuara në Serie A, por që ende ka punë për të bërë drejt një ekipi triumfator. Për këtë arsye po hidhen edhe piketat e para për merkaton e verës.

Me lojtarë tejet të rinj si Gianluigi Donnarumma dhe Manuel Locatelli, tashmë të afirmuar, të mbështetur edhe nga lojtarë të tillë si Suso dhe Carlos Bacca, Milani duket se po synon një vend në Europë për sezonin e ardhshëm. Kuqezinjtë nuk kanë fituar një titull të Serie A që prej sezonit 2010-2011, ndërsa në kampionatet e fundit ka përfunduar jashtë 6 më të mirave, që kualifikohen për në kompeticionet europiane.

Gjithsesi, ekipi i drejtuar nga Vincenzo Montella do të tentojë të krijojë diçka pozitive pikërisht duke u bazuar mbi atë që zotëron dhe në vazhdën e trajektores pozitive që po ndjek sivjet, sigurisht duke tentuar edhe disa shpenzime të konsiderueshme gjatë verës.

Sulmuesi i Dortmundit, Aubameyang kryeson listën e të kërkuarve në merkato, megjithatë ai i Lionit, Alexandre Lacazette konsiderohet si më i mundshëm për t’u tentuar. I vlerësuar si një prej sulmuesve më efektivë të Europës, Milani duket se është i gatshëm të paguajë 70 mln euro, aq sa është klauzola e prishjes së kontratës me Lionin. 25-vjeçari ka shënuar 21 gola gjatë këtij sezoni me francezët, përfshi edhe dy në ndeshjen e fundit të Europa League kundër AZ Alkmaarit.

Ka qenë pikërisht sulmuesi, ai që ka ndezur thashethemet për një transferim të tij, pas deklaratës se mund të largohet në fund të sezonit nga Lioni.

Top Channel