Shtëpia e Bardhë, mesazhe euroskeptike para vizitës së Pence

21/02/2017 00:00

Përpara vizitës së zv.presidentit amerikan, Mike Pence, në Bruksel dhe sigurisë së dhënë prej tij për angazhimin e palëkundur dhe të vazhdueshëm të Amerikës për Bashkimin Europian, kryestrategu i Shtëpisë së Bardhë ishte takuar me diplomatin gjerman në SHBA, të cilit i kishte dhënë një tjetër mesazh.

Bannon, sipas personave me njohuri mbi këtë ngjarje, i kishte sinjalizuar ambasadorit të Gjermanisë në Uashington faktin se ai e shihte BE-në si një strukturë me të meta, ndërsa ishte në favor të zhvillimit të marrëdhënieve me Europën mbi baza dypalëshe.

Ishin pikërisht 3 persona, të cilët kanë folur për agjencinë e lajmeve “Reuters” në kushte anonimati, për shkak të ndjeshmërisë së kësaj çështjeje, që e bëjnë publik përmbajtjen e atij takimi. Por qeveria gjermane dhe ambasadori Peter Ëittig refuzuan të komentojnë, duke u fshehur pas faktit se këto bisedime kanë qenë konfidenciale.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, i cili kishte folur me Bannon pas kërkesës së “Reuters” për informim, konfirmoi se takimi është zhvilluar, por deklaroi se informacioni i dhënë agjencisë së lajmeve ishte i pasaktë. “Ata kanë folur vetëm 3 minuta dhe ishte thjesht një përshëndetje”, tha zyrtari.

Ndërkohë burimet e paidentifikuara të agjencisë e përshkruan takimin shumë herë më të gjatë, në të cilin Bannon kishte marrë mjaftueshëm kohë për të paraqitur pikëpamjen e tij për botën. Ata thonë se mesazhi i tij ishte i ngjashëm me atë që është dhënë gjatë një konference në Vatikan në vitin 2014, kur ai drejtonte në atë kohë faqen “ekstremiste të djathtë” të internetit “Breitbart Neës”.

Në ato komente të bëra përmes “Skype”-t, Bannon ishte shprehur në favor të lëvizjeve populiste europiane dhe përshkruante “mallin” për nacionalizmin nga njerëzit që “nuk besonin më në këtë lloj bashkimi paneuropian”.

“Europa Perëndimore, – tha ai në atë kohë, – ishte ngritur mbi bazat e lëvizjeve të fuqishme nacionaliste”. Duke shtuar më tej se “është pikërisht kjo, nga e cila duhet të shohim në të ardhmen”.

Takimi i javës përpara ardhjes së Pence në Bruksel shqetësoi jo pak njerëz në qeverinë gjermane, kryesisht për shkak se disa zyrtarë shpresonin se Bannon do të ndryshonte pikëpamjet e tij në momentin që do të hynte zyrtarisht në administratën amerikane, e do të ofronte mesazhe me më pak nuanca nacionaliste ndaj Europës, qoftë privatisht, ashtu dhe publikisht.

Top Channel