Pakt social me katër bashki veri-lindore

21/02/2017 00:00

Pas përurimit të zyrave të reja të punës, ministri Klosi dhe ministrja Kodheli vizituan qendrën e formimit profesional dhe shkollën e formimit profesional të Bulqizës, ku për herë të parë janë hapur disa kurse të reja kualifikimi si rrobaqepësi, parukeri kozmetike, punëtorë për pasurim minerali, elektromekanikë dhe zjarmëtarë për minierë.

Në takimin me bisnesmenë, punëdhënës dhe punëkërkues të kësaj zone, u evidentua ofrimi i vendeve të lira të punës në disa profile. Ministri Klosi deklaroi se tregu i punës ka nevojë ulëritëse sot për profesionistë.

“Duke kuptuar këtë janë ngritur dhe po fuqizohen kurset profesionale. Falë kualifikimit kanë dalë nga skema e ndihmës ekonomike 350 familje që janë punësuar e integruar. Nuk kemi zhdukur varfërinë, po jemi në rrugën e suksesshme të reduktimit të saj”, deklaroi ministri Klosi, i cili firmosi me katër kryetarët e bashkive, Bulqizë, Dibër, Klos dhe Burrel paktin e mirëqënies sociale.

Ky pakt nënkupton kalimin e kompetencave të shërbimeve shoqërore nga pushteti qendror te ai lokal, shoqëruar me kalimin e fondit social.

Ministrja Kodheli deklaroi  se kualifikimi profesional dhe mirëfunksionimi i zyrave të punës ka dhene rezultate të mira duke rritur numrin e punësimeve në këtë zonë, që do të ketë një tjetër hov zhvillimi, sipas saj, me ndërtimin e Rrugës së Arbrit.

Top Channel