Edhe për “incidentin” në Suedi, fajin e kanë mediet sipas Trump

21/02/2017 00:00

Dy ditë pas sugjerimit të pavërtetë për një incident sigurie të lidhur me emigrantët në Suedi, presidenti Donald Trump ka reaguar në “Twitter”, duke kritikuar median për mënyrën sesi i kishin trajtuar komentet e tij.

“Lëreni publikun të qetë. Media e lajmeve të rreme po përpiqet të thotë se emigracioni në shkallë të gjerë në Suedi po funksionon më së miri, por nuk është kështu”, shkruan ai.

Trump, i cili që në javët e para të tij në detyrë është përpjekur të forcojë kufijtë amerikanë për shkak të sigurisë kombëtare, tha në një tubim të shtunën se Suedia kishte probleme serioze me emigrantët.

“Shikoni çfarë ndodhi natën e kaluar në Suedi, – tha Trumpi. – Në Suedi, kush do ta besonte këtë? Ata kanë pranuar shumë emigrantë dhe tani kanë probleme siç nuk e kishin imagjinuar kurrë më parë”.

Ndërkohë, asnjë incident nuk kishte ndodhur në Suedi dhe qeveria i kërkoi shpjegime Departamentit amerikan të Shtetit.

“Deklarata ime për atë që po ndodhte në Suedi i referohej një historie të transmetuar në ‘Fox News’, që kishte të bënte me emigrantët atje”, shkroi Trump në “Twitter” të dielën.

Sidoqoftë, komentet e Trumpit shqetësuan Stokholmin. “Po përpiqemi të marrim sqarime”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme. Ambasada suedeze në SHBA ripostoi postimin e presidentit për raportin e “Fox News”, porshtoi se “ne jemi në pritje të informojmë administratën amerikane për emigracionin dhe politikat e integrimit në Suedi”.

Trump në fakt është kritikuar jo pak për komentet e tij shpeshherë pak apo aspak të bazuara.

Top Channel