Arrestohet ish-drejtori i përgjithshëm i burgjeve

21/02/2017 00:00

Artur Zoto, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve për tre vite me radhë, u arrestua nën akuzën e korrupsionit pas dëshmisë që zëvendësi i tij, Iljaz Labi u kishte dhënë prokurorëve.

Policia kreu arrestin pas urdhërit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në një komunikim për mediat, organi i akuzës sqaroi se, mbi të rëndon vepra penale e korrupsionit pasiv për abuzim në tendera dhe se arrestimi i tij vjen pas hetimit të tenderit të ushqimit në burgje, për të cilin prej kohësh mbahet i arrestuar Iljaz Labi. Për Zoton, Gjykata për Krimet e Rënda kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë.

Dosja hetimore për të cilën është arrestuar ish-drejtori ka të bëjë me dyshimet e ngritura të prokurorisë se katër administratorë të firmave private hynin në tendera fiktivë në Drejtorinë e Burgjeve për të fituar tendera në furnizimin me ushqim në shuma të konsiderueshme. Prokuroria ka në përgjimet e saj nëndrejtorin e përgjithshëm të Burgjeve, Iljaz Labin, i cili komunikonte me administratorët e këtyre firmave, duke u premtuar të fitonin në këmbim të parave.

Por, vetë Iljaz Labi, i pyetur nga prokurorët, ka deklaruar se e kishte thirrur Drejtori i Përgjithshëm në zyrë dhe se procedurën do ta bënte me negocim. Në dëshminë e Iljaz Labit thuhet se, Zoto i kishte thënë se, me operatorët duhej të merrej ai.

Konkretisht, thotë Iljaz Labi, duke qenë se unë nuk kisha marrëdhënie dhe njohje me operatorët, drejtori Artur Zoto më tha që të takoja shtetasin Ylber Kalaja, me të cilin unë kisha pak njohje, për të biseduar në lidhje me këtë çështje, duke më thënë se e dinte Ylberi se si do të vepronte. Kam kontaktuar me shtetasin Ylber Kalaja dhe kam biseduar me të në lidhje me procedurën që do të kryhej.‎

Zoto u emërua drejtor në tetor të vitit 2013 dhe u largua nga posti me dorëheqje në korrik të vitit të shkuar. Dorëheqjen e kishte të motivuar për arsye personale dhe familjare. Zoto prej vitesh ka qenë drejtues i lartë në Policinë e Shtetit, gjate viteve 1996-2010.

Top Channel