Spanjë, policia ndalon kamionin me bombola gazi

21/02/2017 00:00

Policia në qytetin spanjoll të Barcelonës ndaloi një kamion të mbushur me bombola gazi butan, i cili po ecte me shpejtësi të madhe në krahun e gabuar të një autostrade.

Efektivët hapën zjarri mbi mjetin pasi drejtuesi i tij nuk dha shenja se do të ndalonte. Bëhet fjalë për një shtetas suedez, i cili sipas mediave lokale mund të ketë qenë nën efektin e lëndëve narkotike. Ai është arrestuar dhe po merret në pyetje.

Kamioni, nga sa pohuan zyrtarët lokalë, rezulton të jetë vjedhur. Ai ishte përplasur me disa makina në rrugë përpara se forcat e rendit ta qëllonin për ta ndaluar.

Ndonëse autoritetet nuk mendojnë se incidenti ka sfond terrorist, reagimi i ashpër i policisë nuk është në fakt i pajustifikuar.

Siriani përgjegjës për sulmin e natës së Krishtlindjes në Berlin, ku humbën jetën 12 vetë, përdori një kamion për realizimin e goditjes.

Të njëjtën metodë preferoi edhe agresori i Nisës në Francë, i cili vrau 84 vetë korrikun e vitit të kaluar.

Top Channel