Protesta e opozitës, Basha: Nuk tërhiqemi; Duka takon Metën

21/02/2017 00:00

Përmasat dhe forma e protestës së opozitës në Tiranë ndryshojnë nga ato të Bukureshtit, por kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha beson se është në rrugë të mbarë.

“Ky është leksioni më i madh i demokracisë, 4 ditë protestë pa rreshtur”, tha Basha.

Me protestuesit janë bashkuar edhe disa gjimnazistë, për të cilët Basha ka një premtim. “Se e para gjë që do të bëj do të jetë anulimi i ligjit të poshtër për arsimin e lartë”, premtoi Basha.

Kërkesa e vetme e opozitës, krijimi i qeverisë teknike, është në të gjitha faqet e shtypit të shkruar, që ndjek me interes se çfarë vendimi do të marrë Ilir Meta.

Por këtë nuk e parashikon dot as aleati i demokratëve, Agron Duka, që është deri tani i vetmi nga opozitarët që e ka takuar Metën mesditën e së hënës.

“Kur takon Metën mendja të shkon të bësh biseda politike, se s’mund të bësh muhabet sporti. Nuk ishte një takim zyrtar dhe rrjedhimisht nuk mund të japësh konkluzione. Meta nuk është lehtësisht i parashikueshëm. Është njëçikë i vështirë”, tha Duka.

Në ditën e katërt të protestës, megjithëse Ilir Meta u shpreh se ishte kundër ultimatumeve, kreu i opozitës nuk hoqi dorë nga toni ultimativ i rrugëzgjidhjes.

“Dy rrugë ka. Ose do pranojmë që të shkatërrojë zgjedhjet e lira e të ndershme, ose qëndrojmë këtu së bashku derisa të rrëzojmë qeverinë e t’u japim zgjidhjen që meritojnë shqiptarëve”, tha Basha.

Top Channel