Implante falas për fëmijët që nuk dëgjojnë

21/02/2017 00:00

Fëmijët që kanë probleme të theksuara me dëgjimin, tanimë mund të kryejnë implantin koklear falas në shërbimin e ORL-së në QSUT.

Sapo e kanë kryer këtë ndërhyrje kirurgjikale falas 3 fëmijë, kostoja e secilës, nëse do të kryhej në spital privat, do të ishte afro 27 mijë euro.

Besim Boçi, shef i shërbimit të ORL-së, shprehet: “Implanti koklear është një ndërhyrje që indikohet në fëmijët me shurdhësi të thellë dhe që nuk përfitojnë asnjë ndihmesë tjetër dëgjimi, proteza akustike le të themi. Sigurisht që është një nga operacionet që kërkon infrastrukturën e duhur në sallën e operacionit. Janë realizuar dy ndërhyrjet e para dhe fëmijët janë në gjendje shumë të mirë, janë në shërbim, nuk kanë pasur asnjë ndërlikim gjatë ndërhyrjes”.

Implanti koklear është një pajisje e kompjuterizuar që kthen dëgjimin tek personat me humbje të thella të dëgjimit, apo, siç quhet ndryshe, shurdhim nervor.
Drejtoresha e QSUT-së, Ogerta Manastirliu, tha: “Jemi shumë të kënaqur që arritëm që në muajt e parë të vitit të plotësonim një ndër objektivat shumë të rëndësishme që i kishim vënë vetes në shërbimin ORL”.

Pas paketës së kardiologjisë, dializës, transplantit të veshkave e të tjera, implanti koklear është paketa e dhjetë që ishte premtuar nga ministri i Shëndetësisë se do të ofrohej falas për pacientët.

Top Channel