Koleksioni i firmës britanike të luksit Burberry, prezantuar në javën e modës në Londër, nuk ishte frymëzuar nga ide apo evente të rëndësishme, por nga një person i njohur: artisti Henry Moore.

Modelet kane sfiluar mes skulpturave të tij. Veshjet e tyre neutrale ishin dëshmia e qartë e influencës nga puna e britanikut gjenial.

Në pasarelën e përbashkët të femrave dhe meshkujve, stilisti Christopher Bailey ofroi bluzë të thurura ose të gjera e të varura.

E bardha, vjola e zbehtë e ajo e fortë dhe e zeza përbënin boshtin e ngjyrave të koleksionit.

Fustanet prej dantelle ngjyrë fildishi, kombinoheshin me triko ose xhaketa të lehta. Asimetria mund të gjendej në shume prej krijimeve, sidomos tek pelerinat. Detaji i dantellës i ishte bashkangjitur me mjaft delikatese edhe këmishave të meshkujve, ndërsa prerja e pantallonave rikthente belin lart.

Moore, që ndërroi jetë në 1986-tën, ishte i famshëm për skulpturat prej bronxi disa nga të cilat u ekspozuan në pasarelen e Burberry-it. Këmishat blu në vjollcë ishin të preferuarat e tij.

Artistin po kështu e shihje gjithmonë në ëme një përparëse me vija. Të gjithë këto elemente ishin përfshirë në koleksionin që i ndërthurte këndshëm me bolerotë e zbukuruara me perla, pupla, mendafsh dhe elementë të tjerë luksozë.

Top Channel