Pique mbron trajnerin Luis Enrique

21/02/2017 00:00

Luis Enrique prej ditësh është vënë në qendër të kritikave, madje në fundjavë në ndeshjen me Leganes, tifozët në “Camp Nou” nuk i kursyen aspak fishkëllimat në drejtim të tij dhe të gjithë skuadrës.

Ai që del në mbrojtje të trajnerit 47-vjeçar është qendërmbrojtësi Gerard Pique, gjatë një evenimenti bamirësie ku ishte së bashku me Carles Puyol.

“Jemi të gjithë me Luis Enriquen. Përpara ardhjes së tij ishim në një situatë shumë të vështirë. Ai na ndihmoi të fitojmë 3 tituj brenda një sezoni. Është një moment delikat për ne, por po bëjmë gjithçka për ta kaluar. Do të ishte më mirë që të gjithë të kthehen pak në kohë dhe të shihnin punën që ai ka bërë me ne. Unë kam besim se do t’ia dalim mbanë”, tha Pique.

Kritikat në dretim të Barcelonës kanë ardhur kryesisht për lojën e zhvilluar në fushë, që është larg asaj që është parë në vitet e fundit dhe kjo pranohet edhe nga Pique.

“Prej 1 muaji e gjysmë nuk po bëjmë lojën që na pëlqen, por është një situatë e kalueshme. Jemi ende në garë për 3 trofetë. Në Champions do të jetë shumë e vështirë për të kaluar, por kemi përjetuar edhe situata më të këqija. Do të luftojmë deri në fund”, tha mbrojtësi 30-vjeçar.

Top Channel