Protesta për Velierën: Gjykata ndryshoi vendimin

21/02/2017 00:00

Shoqëria civile, që prej disa javësh po proteston në mbrojtje të vlerave arkeologjike të Durrësit, ka akuzuar sot Gjykatën Administrative të Durrësit për ndryshim të vendimit të saj, në favor të Bashkisë si investitor i projektit ku po kryhen punimet për ndërtimin e sheshit “Veliera”.

“Vendimi u dëgjua nga 5 pjestarë të shoqërisë civile, që do të thotë se dy këmbët e kalit të Trojës nuk do të qëndrojnë në Durrës, po kur morem vendimin konstatuam se pezullohet puna në vetëm ¼ të shtetit. Kryetari i bashkisë kërkon të mposhtë shtetin…. Do kërkojmë nga Presidenti dhe Ministria e Kulturës të ndalojnë këtë masakër dhe mashtrim që po cënon historinë e kombit”, tha ekologjisti Sazan Guri.

Avokatja e çështjes Mirela Jorgo deklaron se menjëherë kanë kërkuar nga prokuroria e Durrësit sigurimin e regjistrimit audio të seancës gjyqësore për të përballur ndryshimet në vendim.

“Seanca gjyqësore u bë me dyer të mbyllura dhe vendimi u dha i qartë dhe i pastër që nuk lejohen punimet në pjesën e sipërme të rrugës…”, tha Mirela Jorgo, avokate dhe aktiviste.

Po avokatja Jorgo thotë se nuk është në dijeni nëse është bërë regjistrimi audio, ndonëse ky është një detyrim ligjor i Gjykatës, ndërsa hedhjen e betonit nga ana e Bashkisë e quan të paprecedentë.

Mesditen e së shtunës, të gjithë qytetarët shqiptarë janë ftuar në një proteste masive, në mbrojtje të Durresit historik dhe vlerave të tij.

“Qytetarët ftohen që ose ta shkatërrojnë qytetin e tyre bashkë me bashkinë, ose t’i dalin për zot qytetit të Durrësit dhe të gjithë shqiptarëve. I ftoj të gjithë historianët dhe arkeologët.

Ndërkohë në Bashkinë e Durrësit bëjnë të ditur se kanë respektuar vendimin e gjykatës dhe të KKA-së (Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë), duke ruajtur të pabetonizuar edhe vijën nën të cilën ndodhen themelet e vazhdimit të murit bizantin, pjesë e sistemit të fortifikimit të qytetit, me synim për ta bërë të dukshëm në nje fazë tjetër të projektit. Vendim ky i marrë nga Dako pas reagimit të fortë të shoqërisë civile dhe specialistëve të fushës për varrosjen e tij.

Top Channel