Gjatë takimit me kancelarin austriak Christian Kern në 17 shkurt, kryeministri serb Aleksandar Vuçiç i është rikthyer idesë së tij të krijimit të një zone të përbashkët të tregtisë së lirë në Ballkanin Perëndimor.

Qeveria serbe vetëm tani e bëri të ditur se çfarë kanë diskutuar mes tyre dy liderët javën që shkoi. Në arsyetimin e Vuçiçit, shtetet e rajonit përballen me të njëjtat sfida: ekonomitë të dobësuara, periudha të tejzgjatura tranzicioni, ndërsa objektivat i kanë dhe ato pothuajse njësoj siç është dëshira për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Ballkani vazhdon të mbetet një zonë tensionesh të vazhdueshme, të ushqyera nga kujtime të reja konfliktesh të vjetra dhe shpërthimi i ndjenjave nacionaliste. Bashkëjetesa dhe bashkëpunimi konsiderohen të një rëndësie kyçe për stabilitetin e një rajoni të parë gjerësisht burim potencial problemesh për pjesën tjetër të Europës.

Në këndvështrimin e Vuçiçit, të gjitha vendet e tij janë tepër të vogla ose të pafuqishme të zhvillohen ekonomikisht pa partneritetin me fqinjët. Mbi këtë argument mbështetet dhe propozimi i tij për një union të përbashkët doganor, qëllimi i të cilit do të jetë afrimi i vendeve dhe territoreve të Ballkanit perëndimor dhe lehtësimi i kalimit të mallrave.

“Unë kam pasur tashmë konsultime me drejtuesin e Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës Denis Zvizdic, me kryeministrin shqiptar Edi Rama, dhe do të vazhdoj të flas edhe me të tjerët”, është shprehur kreu i ekzekutivit serb. Sa më shumë të pasurohemi si shtete, aq më mirë do të jetë për të gjithë ne, shtoi ai duke kujtuar gjithmonë se kjo ishte një iniciativë personale.

Kancelari austriak e ka mirëpritur idene. Plani ka të bëjë me projekte të infrastrukturës dhe lidh njerezit në mbarë rajonin. “Krijimi i një unioni duty-free më duket një mënyrë pozitive për të përmirësuar situatën në Ballkan”, ka qene komenti i tij.

Iniciativat e integrimit rajonal vazhdojnë të mbeten relativisht të rralla, pavarësisht shtimit të përpjekjeve për bashkëpunim ndërkufitar.

Top Channel