Protesta kundër Trumpit: Nuk është dita e Presidentit tim

21/02/2017 00:00

Mijëra demonstrues e kanë shfrytëzuar “Ditën e Presidentit” në Shtetet e Bashkuara për të protestuar kundër Donald Trumpit, me moton “Nuk është dita e Presidentit tim”.

Kritikët e shefit të Shtëpisë së Bardhë mbanin në duar tabela me shkrimin “ai është një tallje”. Turma e mbledhur pranë kullës “Trump” në Nju Jork thërriste me të madhe “Jo ndalesë, jo mur” dhe “regjimi Trump ka dështuar”.

Mbajeni Kushtetutën tani dhe “shkarkojeni gënjeshtarin”, ishin disa prej sloganeve të hedhura nga protestuesit.

Masiv ishte edhe tubimi i mbajtur në Los Anxheles. Njerëzit përsërisnin pa rreshtur kundërshtinë e tyre ndaj politikave të presidentit mbi emigracionin apo ndryshimet klimatike.

Shënjestër e turmave u bë edhe kulla “Trump” në Chicago. “Donald Trumpi duhet të largohet” ishte thirrja kategorike e tubuesve.

Nisma të ngjashme u ndërmorën gjithashtu në Uashington, Atlanta, Salt Lake City, Portland, e në qytete të tjera të vendit.

Por vala e shprehjes së pakënaqësisë me presidentin amerikan nuk mbeti brenda kufijve të Shteteve të Bashkuara. I njëjti motivacion që shtyu 1.8 milionë britanikë të firmosnin peticionin “online” kundër vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar, nxori rreth 7.000 protestues në rrugët e Londrës.

Dita e presidentit është emri jozyrtar i festës në nder të ditëlindjeve të George Washington dhe Abraham Lincoln, respektivisht presidenti i parë dhe i 16 i Shteteve të Bashkuara.

“Ai po u krijon shumë njerëzve mundësinë të kryejnë akte të dënueshme e tinzare, vetëm sepse është i veshur me pushtet dhe mendon se mund të bëjë ç’të dojë. Nëse vjen këtu, ne do ta luftojmë në çdo hap të rrugës së tij”, tha një protestuese.

Pavarësisht indinjatës së madhe që ka shkaktuar ideja e mbërritjes së Trumpit, kryeministrja britanike Theresa May nuk lëkundet nga pozicioni i saj për të mos e anuluar këtë vizitë.

Top Channel