Është vendi që titujt e shtypit botëror i pushton më së shumti për numrin e viktimave të sulmeve terroriste, por kjo nuk e pengon Pakistanin të urojë që përmirësimi i situatës së sigurisë dhe investimet do të arrijnë t`i rikthejnë turistët sërish.

Resorti e skive në luginen Swat është një arsye krenarie për pakistanezet. Gati një dekadë më parë, talebanët e shkatërruan krejtësisht sepse të bërit ski, sipas tyre, bie ndesh me parimet e islamit.

Vitet e fundit megjithatë janë bërë përpjekje të mëdha që turizmi malor në destinacionin dikur tejet popullor turistik të Malam Jabba-s, të marrë frymë sërish.

Ndërtimi i teleferikut nga një kompani kineze ka bërë të vërshojnë turistët vendas, ndërsa shpresat janë që dalëngadalë, kjo zonë të kthehet në magnet edhe për të huajt.

Zyrtarëve lokalë u pëlqen ta reklamojnë resortin si “Zvicrën e Pakistanit” , por e vërteta është se eksperienca e përjetuar atje mbetet ende larg luksit dhe rehatisë së ofruar nga perëndimi.

Në hyrje të pikës turistike, vizitorët i presin tytat e armëve të policëve nëpër postblloqe. Sa për infrastrukturën dhe akomodimin, ato janë ende në progres. “Nuk e krahasojmë dot me Europën”, thote Athar Janjua menaxheri i kompanisë që ka në përgjegjësi kompleksin, por të paktën është një vend i qetë, i hijshëm dhe i sigurtë, shton ai.  

Top Channel