Rikonstruktohet rruga në Vlorë, gati për sezonin turistik

21/02/2017 00:00

Rikonstruksioni i rrugës “Veledin Kollozi” është një nga projektet e rëndësishme të parashikuara në programin e investimeve të bashkisë së Vlorës, për përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës rrugore në qytet.

Ky segment, që kufizohet me rrugën “Ismail Qemali” në lindje dhe në perëndim me kryqëzimin e Zyrës së Punës dhe Bibliotekës Publike me gjatësi rreth 350 metra, është një nga akset më të rëndësishme.

Projekti përfshin sistemim asfaltimin, ndërtimin e sistemit të kanalizimeve, rrjetit të ujësjellësit, trotuareve, ndriçimin gjelbërimin dhe krijimi i një korsie vetëm për biçikletat.

Fondi i vendosur në dispozicion për rikonstruksionin e këtij aksi kap vlerën e 70 milion lekë të reja. Kryebashkiaku Dritan Leli i cili inspektoi diten e sotme punimet pohoi se pritet që të përfundojnë përpara celjes së sezonit turistik e në përfundim të këtij rikonstruksioni qytetit do t’i shtohet një rrugë e standardeve bashkëkohore.

“Ndriçimi dhe gjelbërimi me standard do të krijojë një imazh të ri për Vlorën turistike dhe hapësira midis pallateve ndërmjet bulevardit dhe rrugës së bibliotekës do të pësojë një rivitalizim të ri. Zgjodhëm periudhën e dimrit për të realizuar këtë projekt në mënyrë që realizimi i kësaj vepre të ndikonte sa më pak në imazhin turistik të qytetit. Dhe para sezonit turistik rruga do të jetë gati”, tha Dritan Leli, kreu i bashkisë së Vlorës.

Rruga “Veledin Kollozi”, ka vuajtur mungesën e investimeve per rehabilitim të saj prej vitesh ndërsa pritet që gjendja infrastrukturore e këtij aksi e blloku banimit të ndryshojë tërësisht.

Top Channel