Korça me bashki të re, projekti inovativ

21/02/2017 00:00

Në Korçë prej pak ditësh ka nisur një projekt i ri urban që ka të bëjë me rikonceptimin e disa prej institucioneve me kryesore që lidhen me shërbimin e qytetarëve të saj.

“Në qëndër të këtij projekti është ndërtimi i bashkisë së re të Korçës, që do të ketë në qendër të saj një mënyrë të re të ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve në një hapësirë të madhe ku do të jenë të akomoduara të gjitha zyrat e bashkisë që janë në kontakt të drejt për drejtë dhe ofrojnë shërbime të drejta për drejta për qyetarët. Është një mënyrë inovative që për herë të parë zhvillohet në një bashki në Shqipëri”, thotë Sotiraq Filo, kryetar i bashksië së Korçës.

Pjesë e rëndësishme e këtij projekti është edhe ndërtimi i Bibliotekës së Re ku fondi i çmuar i librave do t’u ofrohet lexuesve në një godinë me standart europian shërbimi ku nuk do të mungojë as libri në formatin digjital.

“Në kuadër të këtij projekti ka lindur e nevojshme dhe ndërtimi i një godine të re që do të jetë biblioteka e re e qytetit dhe galeria e re e arteve. Një godinë që së bashku me godinën ekzistuese të prefekturës dhe këshillit të qarkut, që përsëri do të rikonstruktohet në kuadër të këtij projekti, do të krijojë një bërthamë të artit, kulturës kreativitetit në qendër të qytetit të Korçës”, thotë Filo.

Projekti pritet të përfundojë brenda një viti dhe arrin një vlerë investimi prej 370 milionë lekësh.

Top Channel