Le Pen refuzon shaminë, anulohet takimi me myftiun e madh në Liban

21/02/2017 00:00

Vizitën në Liban, Marine Le Pen e sheh si mundësi për të shtuar mundësitë e saj të fitores, por nuk e pengoi kandidaten presidenciale të “Frontit Nacional” të refuzonte një takim me myftiun e madh të vendit, për shkak se duhej të vinte një shami në kokë.

“Autoriteti më i lartë sunit në botë nuk më detyroi ta bëja këtë. Nuk është ndonjë gjë e madhe, por myftiut mund t’i përcillni respektet e mia, sepse nuk kam aspak ndërmend të mbulohem”, tha Marine Le Pen.

Refuzimi i udhëheqëses së ekstremit të djathtë në Francë e ka befasuar zyrën e myftiut, i cili sqaroi se kishte lajmëruar në kohë stafin e 48-vjeçares që bëhej fjalë për një masë të njohur protokollare.

Reagimi i tij nuk e ka trazuar aspak Le Penin, që vazhdoi axhendën ashtu siç ishte parashikuar, duke shtrënguar duart me kreun e kishës së krishterë maronite, patriarkun Beshara Al-Rai.

Deri tani, sondazhet janë të njëzëshme në pohimet e tyre se, Le Pen me shumë gjasë do të fitojë më shumë pikë në raundin e parë të votimeve në muajin prill, por për raundin e dytë të majit, parashikimet nuk janë aspak në anën e saj.

Të hënën, policia franceze bastisi zyrat e “Frontit Nacional” në perëndim të Parisit, në vazhdën e hetimeve mbi keqpërdorimin e fondeve të Bashkimit Europian për të paguar asistentët parlamentarë.

Partia e Le Penit e sheh këtë si një manovër politike dhe përpjekje për të trazuar kursin e fushatës presidenciale.

Top Channel