Fleckenstein në Tiranë për reformën, ONM dhe dekriminalizimin

21/02/2017 00:00

Mëngjesi i parë në Tiranë për raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein ka nisur me një takim në hotel “Rogner” me ambasadorët e SHBA dhe BE, Donald Lu dhe Romana Vlahutin.

Vlahutin erdhi në këtë takim pas një takimi kokë më kokë me kryeministrin Rama. Top Channel ka mësuar se dy ambasadorët në diskutimet me eurodeputetin kanë kërkuar bashkërendim të qëndrimeve dhe mbështetjen maksimale për reformën në drejtësi, punën e ONM-së dhe dekriminalizimin. Po ashtu, në takim është biseduar dhe për zgjedhjet.

Në një prononcim të shkurtër për mediat pas daljes nga hotel “Rogner” dhe përpara takimit me kryeministrin Rama, eurodeputeti Fleckenstein, i pyetur për protestën e opozitës, tha se vendi i çdo force politike është në Parlament.

“Protesta duket e qetë. Vendi i çdo force politike është në Parlament. Do takoj Bashën dhe do diskutojmë, por nuk do negocioj”, tha Fleckenstein.

Pas takimit me kryeministrin, Fleckenstein u shpreh optimist për ecurinë e reformës në drejtësi, vettingun dhe dekriminalizimin.

Eurodeputeti gjerman preferoi ta bëjë në këmbë rrugën drejt zyrës së kryeparlamentarit Meta dhe përgjatë tendës së protestuesve opozitarë.

I pyetur nga TCH nëse do t’i takonte protestuesit dhe kryedemokratin Basha në tendën e ngritur para Kryeministrisë, Fleckenstein tha se me kreun e opozitës preferon të bisedojë në selinë e demokratëve.

“Pata një takim të mirë me kryeministrin Edi Rama. Jam optimist ende, por do të takoj edhe zotin Meta dhe zotin Basha”, tha Fleckenstein.

TCH: Do të shkoni ta takoni zotin Basha tek çadra e protestës?

“Jo, jo. Unë nuk shkoj në asnjë protestë. Jam thjesht i ftuar këtu”, u përgjigj eurodeputeti.

Axhenda e takimeve e raporterit Fleckenstein vijoi me një takim me kreun e Kuvendit Ilir Meta në praninë edhe të ministrit të Drejtësisë Vasili dhe më pas me ministren e Integrimit Europian, Klajda Gjosha. Në takim, ministrja Gjosha ka nënvizuar se zbatimi i vettingut duhet të bëhet në mënyrë transparente, pasi vetëm kështu shqiptarëve mund t’i kthehet besimi tek drejtësia.

Ditën e parë të qëndrimit të tij në Tiranë, Fleckenstein e ka mbyllur me një vizitë me kreun e opozitës Lulzim Basha, në selinë e Partisë Demoraktike. Vettingu dhe gjetja e një zgjidhjeje për të shmangur një ngërç të mundshëm parlamentar, duket se ka qenë dhe tema e takimit mes ambasadorëve Lu e Vlahutin me Presidentin Bujar Nishani, zhvilluar pasditen e së martës.

Top Channel