Qytetarët ndryshojnë targat për të mos paguar gjobat

21/02/2017 00:00

Nga një audit që ka bërë Kontrolli i Lartë i Shtetit në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, rezulton se në jo pak raste qytetarët për të mos paguar gjobat, ndryshojnë targën e makinës.

Sipas KLSH, një fenomen i tillë është pasojë e mungesës së një vërtetimi që qytetari i ka shlyer të gjitha detyrimet në momentin që shkon që të ndryshojë targën, rinovojë patentën, apo do të ndryshojë pronësinë e mjetit.

Por një vërtetim i tillë nuk lëshohet dhe ka një ngërç të krijuar mes institucioneve, Drejtorisë së Transportit Rrugor dhe Policisë së Shtetit që është përgjegjëse për vjeljen e gjobave.

Gjatë shërbimeve të radhës që kryejnë pronarët, apo drejtuesit e mjeteve në sportelet e Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, nuk u kërkohet dokument që vërteton se nuk kanë detyrime ndaj organeve të Policisë Rrugore për gjoba nga kundërvajtjet administrative.

Mungesa e këtij rakordimi sjell shmangien e këtyre gjobave, pasi mjeti humbet gjurmët lehtësisht, duke ndërruar targën pikërisht vetëm për shkak të gjobave të papaguara.

Top Channel