Zhgënjehen turistët në Athinë, greva mbyll atraksionet

21/02/2017 00:00

Ka qenë zhgënjyese vizita në Athinë për shumë turistë, që nuk mundën dot të shihnin nga afër atraksionet me të cilat krenohet kryeqyteti helen.

Zonat më të famshme arkeologjike si tempulli i Parthenon-it dhe Akropoli, i mbyllen dyert për shkak të grevës së rojeve të monumenteve antike.

Ata protestojnë për paga më të larta dhe kushte më të mira të punës, pavarësisht garancive të qeverisë së majtë, se pagesat për punën jashtë orarit dhe në ditët e festave nuk janë me rrezik.

Ata kërkojnë gjithashtu punësimin e 200 rojeve të përhershëm para sezonit pranveror dhe veror.

Turistët u mblodhën pas kangjellave të mbyllura të Akropolit për t’i hedhur një shikim të shpejtë kolonave të mermerta e për të realizuar foto nga poshtë kodrës.

“Nuk e di a do të kthehemi më në këtë vend, kështu jemi shumë të zhgënjyer që nuk mundem ta shohim Akropolin”, tha një turist.

“Mendoj se nuk do të vijmë më, pasi nuk mund ta parashikosh kurrë se çfarë ndodh këtu”, u shpreh një tjetër turiste.

Ministria e Kulturës i kërkoi rojeve ti jepnin fund aksionit, duke thënë se po punonin për plotësimin e kërkesave të tyre.

Top Channel